19 Oct Pse paralelja bilinguale në frëngjisht?
SEPSE AJO DO TË THOTË MËSIM NË NJË MËNYRË KREJTËSISHT TJETËR!
Mësimdhënia bilinguale në gjuhën frënge është unike, ajo mundëson që në të njëjtën kohë të mësohet njëra nga gjuhët më të përhapura në botë, gjuha frënge, e ndërkaq përmes saj të fitojmë njohuri nga lëndë të ndryshme mësimore.
Mësimi në këto paralele zhvillohet sipas plan-programit kombëtar të Maqedonisë së Veriut, i përshtatur për mësimdhënie bilinguale, me një numër më të madh të orëve në gjuhën frënge (pesë orë në javë).
Një pjesë e lëndëve mësimore, si: matematika, fizika, kimia, informatika, historia, gjeografia, zhvillohen në frëngjisht, me një rritje graduale të numrit të orëve të frëngjishtes gjatë çdo viti shkollor.
Paralelja e parë e mësimdhënies bilinguale në frëngjisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u hap në vitin shkollor 1997/1998, në shkollën e mesme “Shën Kirili dhe Metodi” në Negotinë, ndërsa midis viteve 2000 dhe 2009, ato u hapën edhe në gjimnazet: “Orce Nikollov“, “Rade Jovçevski Korçagin” dhe “Llazar Tanev” në Shkup,”Goce Delçev” në Kumanovë dhe “Josip Broz Tito” në Manastir.
Nxënësit e paraleleve bilinguale të frëngjishtes kanë mundësinë, që gjatë mësimdhënies, të përdorin libra burimorë në frëngjisht, fjalorë, revista dhe literaturë tjetër mbështetëse nga bibliotekat e shkollës dhe mediateka e pasur e Institutit Francez në Shkup.
Në fund të shkollimit të mesëm, nxënësit kanë mundësinë të marrin certifikatë të veçantë nga Ambasada e Francës / Instituti Francez në Shkup për arsimimin e përfunduar bilingual, i cili lehtëson njëkohësisht qasjen në universitetet franceze dhe është një mënyrë e shkëlqyeshme për t’u hapur drejt Evropës dhe botës.
Mësimdhënësit që japin lëndët mësimore në frëngjisht janë të përfshirë në trajnime gjuhësore dhe pedagogjike, si dhe në seminare për mësimdhënie bilinguale në Maqedoninë e Veriut, Francë dhe vende të tjera frankofone (frëngjishtfolëse).
Të gjithë këto shkolla kanë bashkëpunim me shkolla të mesme franceze, me të cilat punojnë në projekte të përbashkëta pedagogjike, që i prezantojnë në kuadër të shkëmbimeve shkollore. Gjatë këtyre shkëmbimeve, mësimdhënësit dhe nxënësit e paraleleve bilinguale shkojnë për vizitë dhe për të ndjekur mësim të përbashkët me nxënës të shkollave të mesme në Republikën e Francës, e ndërkaq më pas zhvillohet vizitë anasjelltas, e shkollave të mesme franceze në shkollat e mesme partnere në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë këtyre shkëmbimeve, nxënësit kanë mundësinë të zbatojnë drejtpërdrejt dhe të përmirësojnë njohuritë e tyre të gjuhës frënge, mandej aftësitë e tyre të komunikimit, si dhe të njihen me kulturën e begatshme franceze.
Paralelet bilinguale të frëngjishtes janë pjesë e familjes së madhe frankofone dhe përfaqësojnë një segment të rëndësishëm të bashkëpunimit të pasur midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Francës.