16 Sep ME ELAN (VRULL) TË PËRBASHKËT
NGA LOJËRAT NË DIPLOMACI
Personalitetet e famshme të diplomacisë dhe lëvizjes olimpike i bashkon një tipar i përbashkët: përkushtimi. Figurat politike dhe sportistët ndërkombëtarë, të prezantuar në këtë ekspozitë, kanë punuar me përkushtim në interes të paqes. Të drejtat e njeriut, arsimimi, barazia, solidariteti, bashkëjetesa… këta burra dhe gra kanë marrë pjesë dhe marrin pjesë në mënyrë aktive në luftën kundër të gjitha formave të diskriminimit. Secili në fushën e vet. Secili në nivelin e vet. Së bashku, ata përfaqësojnë një forcë shtytëse në promovimin e luftës për të drejtat e njeriut dhe paqen në skenën ndërkombëtare. “Franca ka luajtur një rol të madh si në vendosjen e një rendi ndërkombëtar të bazuar në dialogun diplomatik, ashtu edhe në lëvizjen olimpike. Duke qenë se vendi ynë në vitin 2024 është nikoqir i Lojërave Olimpike dhe Paralimpike në një botë të paqëndrueshme, le të kujtojmë fuqinë e angazhimeve universaliste të burrave dhe grave të panumërta, të cilët nëpër stadiume dhe në korridoret e ministrive, punuan me përkushtim për paqen dhe të drejtat e njeriut! “Historitë e tyre jetësore dhe guximi i tyre duhet të jenë frymëzim për të gjithë ne – sportistë, diplomatë dhe qytetarë – dhe të na inkurajojnë të tejkalojmë veten për të ndërtuar një botë më të mirë dhe më të drejtë!”
Stefan Sezhurne
Ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane
TË DREJTAT E NJERIUT
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Kofi Anan (1938–2018)
I lindur në Gana, Kofi Anan, sekretari i shtatë i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, luajti një rol shumë të rëndësishëm në reformimin e organizatës, veçanërisht në luftën kundër HIV-it dhe terrorizmit ndërkombëtar. Në vitin 2001, ai ishte bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqen, si vlerësim për angazhimin e tij për një botë më të mirë të organizuar dhe paqësore.
Vilma Rudolf (1940- 1994)
Kur amerikania Vilma Rudolf, në moshën katër vjeçare u sëmur nga poliomieliti, askush nuk besonte se ajo do të mund ta përdorte ndonjëherë këmbën e saj të majtë. Sidoqoftë, ajo jo vetëm që e mposhti sëmundjen, por edhe u bë kampione olimpike në sprint. Ajo e përdori popullaritetin e saj për të promovuar të drejtat civile dhe edukimin e të rinjve.
TË DREJTAT DHE MBROJTJA E REFUGJATËVE
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Sadako Ogata (1927-2019)
Sipas Antonio Guterresit, sekretarit të përgjithshëm aktual të Kombeve të Bashkuara, japonezja Sadako Ogata, është “shembull për botën në sferën humanitare.” Ajo ishte gruaja e parë, ecila nga vitit 1991 deri në vitin 2000 ishte në krye të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (HCR). Ajo pa pushim avokoi për solidaritetin ndërkombëtar ndaj refugjatëve.
Tegla Lorup(1979-)
Maratonistja nga Kenia, Tegla Lorup, themeloi Fondacionin e Paqes Tegla Lorup, i cili synon të promovojë paqen midis fiseve ndërluftuese në rajonin e luginës së Riftit në Kenia. Si kampione e paqes, ajo dha kontribut edhe në formimin e ekipit olimpik të refugjatëve dhe në krijimin e një qendre stërvitor, në mënyrë që ata të mund të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike.
SOLIDARITETI NDËRKOMBËTAR
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Leon Burzhoa (1851-1925)
Si një njeri i vërtetë i veprimit, Leon Burzhoas nuk i mjaftoi të ëndërronte për paqen. Ky personalitet politik francez, që konsiderohet si pionier i konceptit të solidaritetit social, në vitin 1920 fitoi Çmimin Nobel për Paqen, për rolin e tij kyç në krijimin e Lidhjes së Kombeve, pararendëse e Kombeve të Bashkuara.
Muhamed Ali (1942-2016)
Para se të bëhej legjendë e boksit, afro-amerikani Kasius Klej, alias Muhamed Ali, në vitin 1960, fitoi medaljen e artë në boks në Lojërat Olimpike në Romë. Gjatë gjithë jetës së tij, ai ishte një kampion i flaktë i të drejtave civile dhe ambasador i paqes, duke përdorur famën e tij për të luftuar racizmin dhe për të promovuar paqen në botë.
TË DREJTAT E GRAVE
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Simon Vejl (1927 – 2017)
E mbijetuara e Holokaustit (Shoah) Simon Vejl, ishte një figurë e rëndësishme politike në Francë në shekullin e XX-të. Bartëse e ligjit për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë (IVG) në vitin 1974, kjo mbështetëse e vendosur e idesë së një Evrope të bashkuar, kryente funksione politike, që deri atëherë ishin të pamendueshme dhe të paarritshme për gratë. Në vitin 2018, eshtrat e saj u transferuan në mauzoleun Panteon, duke e bërë atë gruan e pestë që prehet atje.
Billi Xhin King (1943 – )
Billi Xhin King është sportiste e dalluar dhe fituese e afro 130 titujve. Përveç rezultateve sportive, ajo shquhet edhe për përkrahjen dhe angazhimin e saj aktiv ndaj barazisë gjinore dhe të drejtave të grave. Ajo është gjithashtu edhe sportistja e parë femër, që zbuloi homoseksualitetin e saj dhe që doli hapur në mbrojtje të komunitetit LGBT+.
SOLIDARITETI NDËRKOMBËTAR
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Marti Ahtisari (1937-2023)
Marti Ahtisari, diplomat dhe ish-president i Finlandës, fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2008, për përpjekjet e tij të gjata në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për konfliktet ndërkombëtare. Si një ushtar i palodhur i paqes, ai luajti rol kyç dhe vendimtar në zgjidhjen e disa krizave të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë Namibinë, Indonezinë dhe Kosovën.
Jusra Mardini (1998-)
E reja siriane Jusra Mardini, u arratis nga vendi i saj në vitin 2015. Një vit më pas, në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, notuesja iu bashkua ekipit të parë olimpik, të përbërë nga refugjatë në Lojërat e Rios. Që atëherë, ajo u bë një zëdhënëse e personave të zhvendosur. Në vitin 2017 ajo u emërua si ambasadore e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Veprimtaria e saj vazhdon me themelimin e fondacionit të saj në vitin 2023, qëllimi i të cilit është t’iu sigurojë dhe mundësojë refugjatëve qasje në arsim dhe aktivitete sportive.
TË DREJTAT E GRAVE
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Elen Xhonson Serlif (1938-)
Elen Xhonson Serlif është kryetarja e parë femër e një vendi afrikan, e zgjedhur në mënyrë demokratike. Në vitin 2011, si presidente e atëhershme e Republikës së Liberisë, së bashku me bashkatdhetaren e saj, Lejma Gbove dhe jemenasen Tavakul Karman, fitoi Çmimin Nobel për Paqen, për luftën e tyre jo të dhunshme në drejtim të sigurisë dhe të drejtave të grave për të marrë pjesë plotësisht në punën e ndërtimit të paqes.
Alis Milija (1884-1957)
Në vitin 1920 të shekullit të XX-të, u ndez një debat i nxehtë për vendin e grave në sport. Udhëheqëse e kësaj lufte ishte francezja Alis Milija. Ajo themeloi Federatën Ndërkombëtare të Sporteve të Grave, e më pas në vitin 1922, organizoi edicionin e parë të Lojërave Botërore të Grave në Paris. Përballë emocioneve që shkaktuan këto gara, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i lejoi grave të konkurrojnë në Lojërat Olimpike. Sportistet e para femra do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike në vitin 1928.
LUFTA KUNDËR DISKRIMINIMIT
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Ralf Banç (1904-1971)
Ralf Banç është afro-amerikani i parë dhe personi i parë me ngjyrë, i cili fitoi Çmimin Nobel për Paqen. Ai do ta zhvillojë luftën e tij kundër diskriminimit në kushtet e pabarazisë së theksuar racore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai do të bëhet ndihmës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, ndërkaq si negociator do të ndërmjetësojë armëpushim midis Izraelit dhe vendeve fqinje arabe në vitin 1949, për të cilin do të marrë Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1950.
Xhesi Ovens (1913-1980)
Xhesi Ovens është sportist amerikan, që do të mbahet mend në histori si fituesi i katër medaljeve të arta në Lojërat Olimpike në Berlin në vitin 1936. Gjatë ngritjes së nazizmit, arritjet e tij të jashtëzakonshme sportive ishin një mesazh i fuqishëm kundër diskriminimit racor.
TË DREJTAT E NJERIUT
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Mishel Bashle (1951-)
Mishel Bashle ishte viktimë e torturave në qendrën e paraburgimit, ku ishte burgosur me nënën e saj dhe ku humbi jetën babai i saj, gjeneral i afërt me presidentin Aljende. Nga këto ngjarje ajo do të marrë forcë për të mbrojtur fuqishëm të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Kjo do ta çojë atë në pozicionin më të lartë në vend: në 2006 bëhet presidentja e parë femër e Kilit, ndërsa nga viti 2018 deri në vitin 2022 mori drejtimin e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut.
Horhe Ugo Hiraldo (1979-)
Horhe Ugo Hiraldo është gjimnast kolumbian dhe kampion i paqes, i cili mori pjesë në Lojërat Olimpike të 2004-ës, 2008-ës dhe 2012-ës. Shoqata e tij “Gimnasia por la Paz”, u mundëson kategorive të cenueshme të djemve dhe vajzave, nga mosha 8 deri në 14 vjeçare, të fitojnë vlerat dhe standardet e nevojshme për një jetë të shëndetshme. Ai gjithashtu punon për të përmirësuar integrimin e grave në shoqëri dhe në zhvillimin e autoritetit të tyre në mjedisin ndonjëherë të rrezikshëm në të cilin ato jetojnë.
TOLERANCA DHE SOLIDARITETI
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Dag Hamarshelld (1905-1961)
Suedezi Dag Hamarshelld u zgjodh në postin e sekretarit të dytë të përgjithshëm të OKB-së në kulmin e Luftës së Ftohtë. Ai njihet për qasjen e tij novatore, veçanërisht për përdorimin e operacioneve paqeruajtëse dhe për ndërmjetësimin e tij personal në një sërë konfliktesh, si ai në Republikën e Kongos (tani Republika Demokratike e Kongos). Dhe pikërisht, derisa po udhëtonte për të shkuar në atë vend për të negociuar një armëpushim, ai vdiq në një aksident ajror në vitin 1961. Çmimi Nobel për Paqe iu dha atij pas vdekjes.
Rijad Salem (1970 – )
Rijad Salemi ka marrë pjesë në Lojërat Paralimpike në not, basketboll me karrige me rrota dhe ragbi me karrige me rrota. Në vitin 2024 në Paris, ai do të marrë pjesë për herë të gjashtë në Lojëra, këtë herë në ekipin francez në ragbi me karrige me rrota dhe është njëri nga bartësit e flakës olimpike. Me shoqatën e tij, ai avokon për njohjen e parasporteve dhe të drejtën e diversitetit. Që nga viti 2016, ai gjithashtu nisi një program për edukimin qytetar përmes sportit dhe organizoi seminare për ndërgjegjësimin për bashkëjetesën harmonike në shoqëri, ku u përfshinë 50 mijë fëmijë.
LUFTA KUNDËR DISKRIMINIMIT
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Nelson Mandela (1918-2013)
Politikani i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, është simbol i luftës kundër aparteidit. Në vitin 1993 së bashku me Frederik de Klerkun, mori Çmimin Nobel për Paqen, për shkak të përmbylljes paqësore të politikës së aparteidit dhe fillimit të negociatave politike. Në këtë mënyra, këto dy personalitete shmangën luftën civile dhe mundësuan demokratizimin e vendit. Në vitin 1994 ai fiton në zgjedhjet presidenciale dhe bëhet presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut.
Tomi Smit dhe Xhon Karlos T.S. (1944-) dhe XH.K. (1945-)
Në Lojërat Olimpike në Meksikë në vitin 1968, Tomi Smit dhe Xhon Karlos, fitues të medaljeve të arta dhe të bronzit në garën 200 metra, përkulin kokën dhe tregojnë grushtin e shtrënguar me doreza të zeza, përderisa intonohej himni kombëtar i SHBA-së. Për shkak të kësaj shenje mbështetjeje ndaj viktimave afro-amerikane të diskriminimit, ata u përjashtuan përjetësisht nga ekipi amerikan, karriera e tyre u shkatërrua, por edhe u kërcënuan me vdekje në Shtetet e Bashkuara, si dhe u privuan nga të gjitha të drejtat. Në vitin 2016, Barak Obama i rehabilitoi ata në një ceremoni zyrtare të organizuar në Shtëpinë e Bardhë.
TË DREJTAT E FËMIJËVE
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Ludvik Rajhman (1881-1965)
Mjeku polak, Ludvik Rajhman, është drejtori i parë i paraardhësit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OMS-ËHO). Sipas tij, shëndetësia publike duhet së pari të merret me zhdukjen e varfërisë ekstreme. Ai konsiderohet themeluesi i UNICEF-it, sepse në vitin 1946 në Asamblenë e Përgjithshme të Administratës së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Rindërtimin (UNRRA), do të bëjë thirrje për krijimin e një Fondi të Ndihmës për Fëmijët.
Hisham El Geruzh (1974-)
Hisham El Geruzh është sportist maroken dhe kampion i paqes, i cili sot konsiderohet si njëri nga vrapuesit më të mirë të distancave të mesme të të gjitha kohërave. Ai I fitoi dy medalje të arta olimpike dhe ishte katër herë kampion bote. Që nga viti 1999 është ambasador i UNICEF-it në Marok dhe luan një rol të rëndësishëm në promovimin e programeve të kësaj agjencie të OKB-së, kushtuar përmirësimit dhe avancimit të pozitës së fëmijëve.
ANGAZHIMI DHE LUFTA PËR PAQEN
SI TIPAR I PËRBASHKËT
Butros Butros-Gali (1922-2016)
Ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, egjiptiani Butros Butros-Gali i kushtoi gjithë jetën e tij promovimit të një bote më paqësore dhe më të drejtë, duke mbrojtur globalizimin demokratik. Si mik i madh i Francës, gjuhës dhe vlerave të saj, ai u zgjodh sekretar i parë i përgjithshëm i Frankofonisë.
Alen Mimun (1921-2013)
Legjenda e atletikës franceze, Alen Mimun, fitoi maratonën në Lojërat Olimpike të Melburnit në vitin 1956. Me origjinë nga Algjeria franceze, ky ish-luftëtar i Luftës së Dytë Botërore ishte një shërbëtor i përkushtuar i Francës, ndërkaq për angazhimin dhe këmbënguljen e tij mori mirënjohje dhe dekorata ushtarake nga shtatë presidentë francezë.